HOME
  • Home
  • THEATER
  • MOVIES
  • BIOGRAPHY
  • AWARDS
  • FESTIVALS
  • INTERVIEWS
  • OTHER
  • Contact

Askush nuk mund të ma vrasë dashurinë për teatrin, jetën dhe të bukurën

Musa IsufiMusa Isufi është padyshim njëri ndër aktorët më produktivë në skenën shqiptare në Maqedoni. Sukseset e këtij aktori çdo vitë e më shumë shtohen; çmimet nëpër festivale, mishërimi i mrekullueshëm në role të ndryshme dëshmojnë se kemi të bëjmë më një artist që pikësynim të vetëm ka ringjalljen e kulturës dhe artit në Maqedoni e në theks të veçantë ai është trasues dhe misionar i rrugës për themelimin e Teatrit shqiptar në Kumanovë.

Na tregoni  për hapat e para, si ju lindi ideja të bëhëni aktor dhe pse pikërisht zgjodhët aktrimin për profesion jete?

Idetë e mëdha kanë lindur dhe filluar nga ëndrrat. Kur isha fëmijë shihja ëndrra nga më të ndryshmet, çuditërisht shqisat e mija i perceptonin si ngjarje filmi ku çdo herë isha heroi, shpëtimtari. Atë që shihja në televizion filma, dokumentarë, seriale si dhe situata të ndryshme nga jeta ime i përshtasja në ëndrrat e mia, ku isha sa herë në rolin pozitiv. Në atë moshë isha ëndrrimtar i madh (në fakt kam mbetur edhe sot i tillë) dhe besoja në interpretimin popullor të ëndrrave, se, çfarë do të shohësh në ëndërr, e njëjta do të ndodhë në jetë në një kohë të afërme. Si fëmijë mendoja se, nëse një ditë do të bëhem aktor i madh, do të fitoja shumë para dhe do të bëhesha i pasur, kështu do të më krijohej mundësia për t’i ndihmuar shokët e mi, si dhe fëmijtë e varfër të shkollës. Mbaj mend se, kur mblidheshin familjarët për ndonjë festë nga gjithë fëmijtë e familjes, mua më shtynin të recitoja vjersha, pastaj më thonin bravo dhe më duartrokisnin. Ato duartrokitje më mbetën në kokë edhe sot e kësaj dite. Duke u rritur, kureshtja për filmin ishte edhe më e madhe, shkoja në kinema dhe një film e shikoja nga 10-12 herë, i mësoja dialogjet e përsonazheve, i luaja të gjitha rolet para shokëve, nganjëherë i ndanim rolet mes veti. Por për të vendosur që t’i rrekem këtij profesioni  ishte Arjanit Shaqiri– aktor, i cili asaj kohe ishte student i fakultetit të artit dramatik, gjej rastin ta falenderoj që më dha vullnet dhe më përgatiti për provimin pranues në fakultetin e artit dramatik. Zgjodha këtë profesion vetëm për një qëllim, ta ndihmoj qytetin tim në sferën e kulturës, të përpiqem me fuqinë e aktorit t’i afroj shqiptarët e kësaj zone drejt skenës dhe teatrit. Në atë kohë, por edhe më herët, kur ishim nxënës, na detyronin të shkonim në teatër për të parë shfaqje, të gjitha në gjuhën maqedone. Asnjëherë nuk u bë e mundur të dëgjonim gjuhën tonë shqipe në skenë, edhe sot fëmijtë tanë  vazhdojnë të mos shohin shfaqje në gjuhën shqipe, e, unë nuk mundem ta pranoj këtë fakt të hidhur.

Na flisni pak për karrierën tuaj si aktor ju kemi parë edhe në teatër edhe në film, ku e gjeni veten më mirë dhe cili është roli  i juaj apo shfaqja që ju ka lënë më shumë mbresa?

Është e vërtetë se kam realizuar shumë role në teatër dhe më pak role në film, deri më tani jam gjetur mirë në realizimin e roleve të cilët mi kanë besuar regjisorët. Aktori duhet të mundohet të luajë role nga më të ndryshmet– karaktere të zhanreve të ndryshëm. Gjithë rolet për mua kanë vlerën dhe peshën e vet, të cilat në mënyrë direkte kanë ndikuar në mbindërtimin tim si aktor. Dashuritë nuk harrohen kurrë, e meqë ende i kam në zemër dhe i mendoj shpesh  këto role, mendoj se i dua njësoj.

Keni bërë shfaqje dhe role të mira, vendlindja juaj pra  Kumanova ka artistë shumë të mirë, por nuk ka akoma Teatër profesionist. Si mendoni ku qendron faji i kësaj ngecjeje?

Kumanova ka qenë, është dhe shpresoj të jetë në të ardhmen, një burim i pashtershëm artistësh arti. Këtë e tregojnë shfaqjet tona e sukseshme teatrore të Qendrës Kulturore “Talia”.  Përse Kumanova, ende sot në këtë ditë, nuk ka teatër shqiptar? Unë në mënyrë direkte, pa pardon, fajësoj ish-pjestarët e partisë komuniste– shoviniste dhe antishqiptare, kush janë këta persona, ata e dinë vetë, faji le t’u mbetet në ndërgjegjen e tyre. Pluralizmi apo demokracia dha një dritë të vogël shprese për shqiptarët e Maqedonisë. U hap Akademia e Arteve, njëherësh edhe fakulteti i artit dramatik. Edhe pse nuk ishte i pranuar dhe totalish i anatemuar nga sistemi i shtetit të Maqedonisë ne vazhduam studimet në kushte mizore, kjo na bënte edhe më të fortë në realizimin e ideve tona, qëllimit tonë edhe pse disa “studentë patriotë” nga viti i tretë ikën nga fakulteti i artit dramatik në Tetovë për t’i vazhduar studimet në fakultetin e artit dramatik, në universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”- Shkup. Ky ishte vetëm fillimi për ta shpartalluar Akademinë e Artit Dramatik në Tetovë. Sot, të njëjtët persona, pa asnjë drojë dhe turp punojnë si asistentë  në të njëjtën Akademi, që dikur deshën ta shpërbëjnë. Nga  Fakulteti i Artit Dramatik të Tetovës tetë studentë mbaruan studimet e larta për aktor. Aty lindi ideja për hapjen e teatrit shqiptar në Kumanovë, një përpjekje prej më shumë se dhjetë vitesh, ku në mënyra të ndryshme kërkohej hapja e teatrit shqiptar në Kumanovë.

Iniciativa më e re e disa aktorve Kumanovarë u nis para një viti, kjo iniciativë hasi në mirëkuptim dhe përkrahje të plotë nga Sekretariati për implementimin e marrëveshjes së Ohrit, në krye me zëvendës kryeministrin, zotin Abdylaqim Ademi. Gjithë procedurat juridike mes Ministrisë për Kulturë, Financave dhe Sekretariatit për implementimin e marrëveshjes së Ohrit kanë mbaruar dhe vendimi për hapjen e teatrit shqiptar në Kumanovë është pozitiv, presim këto ditë të hapet konkursi për aktorët.

Para disa viteve keni rrëmbyer dy çmime në festivalin e Dibrës tash sërish në Ferizaj u zgjodhët aktori më i mirë, ku e gjen Musa Isufi gjithë këtë forcë dhe entuziazëm për të mishëruar rolet për mrekulli?

Shpërblimet nuk janë gjë tjetër përveç se një përgjegjësi më e madhe profesionale dhe obligim moral për të punuar edhe më shumë për justifikimin e vlerësimit tim nga juritë e festivaleve, që më çmuan dhe nderuan me këto çmime.

E kam thënë edhe më herët se askush nuk mund të ma vrasë dashurinë për njerëzit, teatrin, jetën, për të bukurën, edhe në momentet më të vështira kam gjetur forcën për të mos u nënshtruar dhe dorëzuar para sfidave në jetë dhe karrierë.

Cili është mendimi i juaj për artin dhe kulturën në Maqedoni dhe a mund të jetohet pikërisht  nga aktrimi këtu tek ne në këtë kohë?

Në Maqedoni janë dy etnitete më të mëdha, shqiptar dhe maqedon. Derisa maqedonët harxhojnë mjete nga buxheti i Ministrisë për Kulturë, me qindra miliona euro për nevojat e tyre kulturore nacionale, ngrenë teatro të reja, filharmoni, muzeume, galeri artesh, përmendore nga më të ndryshmet duke u nisur nga epoka e gurit e deri tek ato futuriste, harxhojnë e investojnë në pafundësi, shqiptarëve u është dhënë e drejta për t’u marrë me astrologji (numërimi i yjeve në qiell). Për derisa shqiptarët nuk marrin hisen e vet që ju takon në Maqedoni, për shqiptarët kultura dhe arti ishte, është dhe do të jetë vetëm një IMPROVIZIM i zbehtë i realizimit të nevojave të veta shpirtërore e kulturore. Shpresojmë të jetojmë një jetë modeste.

A mendoni se te ne mungon kinematografia shqiptare,gjegjësisht filmi apo serialet televisive nga artistët tanë shqiptar? Ku qëndron problemi i mospasjes?

Për derisa nuk ka produksion  të filmave, serialeve televizive do të thotë se ka problem. Në Maqedoni ka regjisorë të filmit shqiptar, por edhe sikur të mos ketë në Maqedoni ka në Shqipëri dhe Kosovë, domethënë nuk është problemi tek kuadri. Unë edhe me lartë theksova se nuk investohet në projektet shqiptare, në këtë rast për filmat shqiptarë nga ana e Ministrisë për Kulturë si dhe nga Fondi i Filmit të Maqedonisë. Nuk e di përse ndodh kjo, nuk e kuptoj përse e gjithë kjo heshtje para kësaj padrejtësie. Ne duam pjesën tonë që na takon.

Nëpër televizionet tona kohën e fundit shikohen me të madhe telenovelat në gjuhën turke, dikur ishin në modë ato spanjolle, çfarë mendoni ju si profesionist, çfarë vlere kanë këto dhe a ja vlen të shikohen?

Jetojmë në kohën kur globalizimi dhe tregu medial botëror ka marrë një hov të madh i cili nuk i zgjedh mjetet e komunikimit, por kërkon të gëlltisë sa më shumë shikues, njëherit të vjelë sa më shumë para. Mua kjo më ngjan me një përplasje sunami, dallgët e të cilit nuk kanë të ndalur, vijnë njëra pas tjetrës me një shpejtësi marramendëse. Makutëria e përfitimit zvogëlon gjykimin e të menduarit për vlerën dhe antivlerën. Me keqardhje e them se televizionet po shohin interesin e ngushtë personal duke blerë dhe emetituar seriale të lira, pa kualitet. Kur njerëzit janë pa punë, e shumica në Maqedoni janë të tillë, duke mos pasur mundësinë e zgjedhjes, përcjellin serialet e tilla, pa vlera të larta morale dhe artistike. Edhe pse çdokush ka të drejtën dhe lirinë e vet për të parë dhe konsumuar çfarë të dojë, shijet e publikut duhen kultivuar dhe televizioni duhet të përzgjedhë emetimet, pasi është një nga mjetet më të rëndësishme të komunikimit me publikun.

A keni ndonjë plan për ndonjë projekt të ri, çfarë mund të  presim prej jush në vazhdim?

Kam disa oferta për angazhime, nuk dua të flas përderisa projektet nuk kanë filluar ende, sot për sot prioritet mbetet hapja e teatrit shqiptar në Kumanovë.

Hobi i juaj, aktivitetet tjera jashtë aktrimit dhe teatrit?

Fotografia dhe dizajni.

Mesazhi i juaj për lexuesit e gaztës online  Yllpress.com?

Duke shijuar kafen e mëngjesit të lexojnë online gazetën Yllpress ku do të njihen me lajmet më të reja.

Intervistoi: Avni Osmani

Musa Isufi

  • Musa Isufi in the role of Angus "Drawer Boy"

Comments

Recent Posts

  • Mirandolina
  • Dreams
  • Musa Isufi art photo
  • Emigrants
  • Prejudgement
  • Undercover
  • Dromstrom and Rundlund

Random Pictures


    Coxcombs DebauchedGunAudience Audience Coxcombs DebauchedEmigrantsAudience Live CorpsesBlood RainLive CorpsesDeath and the MaidenDromstrom and Rundlund

Search

Online

Users online: 2
Total visits: 1576479
Total hits: 2298863
Today visits: 9
Today hits: 40



web developer Bujar Ademi




© Copyright 2012 Musa Isufi